Dijetarët e konsiderojnë këtë si të drejtën e dytë të bashkëshortit. Gruaja është e detyruar t’i bindet bashkëshortit të saj dhe të jetë e dëgjueshme ndaj tij. Kjo e drejtë është thelbësore, pasi Allahu Fuqiplotë i ka dhënë mashkullit epërsi ndaj femrës. Por kusht i respektimit të kësaj të drejte është që urdhëresat apo ndalesat e bashkëshortit të jenë në përputhje me Ligjin e Zotit. Kjo e drejtë e bashkëshortit e detyron gruan t’i bindet atij, të veprojë atë çka ai e urdhëron dhe të largohet prej asaj që ai e ndalon.
Kur burri e urdhëron gruan për diçka që është detyrë, atëherë bindja ndaj tij bëhet detyrë akoma më e fortë. Për shembull, kur e urdhëron për diçka që është prej detyrave ndaj Zotit, siç na tregon Allahu i Lartmadhëruar për këtë në fjalën e Tij: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe ti vetë ji këmbëngulës në kryerjen e tij.” (Taha: 132)
Allahu e ka vendosur urdhërimin në dorën e burrit dhe i ka dhënë atij të drejtën e këshillimit të bashkëshortes së tij. Allahu ka lavdëruar për këtë njërin prej të Dërguarve të Tij, në fjalën e Tij: “Përkujtoju në Libër (Kur’an) edhe Ismailin. Vërtet ai ishte besnik në përmbushjen e premtimit, ishte i Dërguar dhe Profet. Ai e urdhëronte familjen e vet që ta falte namazin e të jepte zekatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.” (Merjem: 54-55)
Gruaja patjetër duhet t’i bindet bashkëshortit të saj. Një nga çështjet e rëndësishme që kërkon bindjen e gruas është plotësimi i nevojave fizike të tij, veçanërisht kur ai e fton për të ruajtur veten e tij nga rënia në haram (imoralitet). I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi qoftë mbi të) ka përmendur se mospërgjigjja e gruas kur bashkëshorti i saj e fton (në shtrat) për të ruajtur veten e tij nga rënia në haram, bën që ajo grua të mallkohet.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse burri e fton të shoqen për në shtrat dhe ajo refuzon, duke e lënë atë të zemëruar, melaiket e mallkojnë atë derisa të gdhijë.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi) Ky hadith argumenton se nuk i lejohet gruas që ta kundërshtojë burrin e saj në urdhrat e tij, veçanërisht kur këto kanë të bëjnë me bindjen ndaj Allahut, siç janë farzet, apo me gjëra të veçanta për të, siç është dëlirësia e tij nga harami.
Përjashtohen këtu rastet kur gruaja ka arsye të cilat e pengojnë apo kur ajo nuk ka mundësi që t’i përgjigjet kërkesës së tij, si fjala vjen, kur ajo është e sëmurë. Në rastin kur gruaja ka arsye apo e ka të pamundur t’u përgjigjet kërkesave të burrit, është e drejta e saj të arsyetohet, por dijetarët kanë pohuar se ajo duhet të tregohet e butë, e sjellshme dhe arsyetimi i saj të jetë i tillë që ta bëjë bashkëshortin të kuptojë se kjo gjë nuk është në dorën e saj.