Allahu Fuqiplotë u ka dhënë bashkëshortëve të drejtën e përgjegjësisë së drejtimit. Nëse gruaja e respekton ashtu siç duhet këtë të drejtë të bashkëshortit të saj, shtëpia e tyre do të ngrihen mbi baza të shëndosha. Allahu i Madhëruar u ka dhënë burrave disa cilësi, të cilat nuk gjenden tek gratë ashtu siç janë te burrat, duke përmendur këtu: fuqinë, durimin, qëndresën, aftësinë drejtuese, përballimin e përgjegjësive dhe marrjen përsipër të gjërave të rëndësishme.
Një fakt tjetër që argumenton për epërsinë e burrave ndaj grave është veçimi i tyre me shpallje hyjnore. Zoti e ka zbritur atë, që është nga gjërat më të çmuara që Ai mund t’i dhurojë dikujt, vetëm te burrat. Midis të tjerash, kjo është arsyeja që dijetarët kanë thënë se Allahu i ka bërë burrat më të vlefshëm se gratë, duke vendosur në natyrën e tyre cilësi të cilat mungojnë te këto të fundit. Një gjë e tillë detyron që gruaja të jetë nën burrin e jo burri nën gruan dhe që ajo të mos përpiqet të jetë e barabartë apo të garojë me të.
E drejta e përgjegjësisë së drejtimit qëndron në dy çështje:
E para: Planifikimi i çështjeve me anë të mendimit dhe hulumtimit.
Bashkëshorti është ai që vështron dhe studion se çfarë është më e mira për shtëpinë, familjen dhe fëmijët e tij.
E dyta: Zbatimi i asaj gjëje që ai arriti në përfundimin se është më e mira. Pasi bashkëshorti vështron dhe studion se cila është më e mira për familjen e tij, atëherë ai bëhet zbatues i këtij mendimi.
Bashkëshorti është më i denjë për këto dy çështje për disa arsye:
– Allahu i Lartësuar i ka veçuar burrat për sa i përket vështrimit dhe njohjes së gjërave në atë formë e cila mungon tek gratë, pasi burri ka marrëdhënie më shumë me njerëzit se ajo. Por edhe nëse ajo do të përzihej me njerëzit, marrëdhënia e saj do ishte e kufizuar, pavarësisht nga përpjekjet, pasi e tillë është natyra e saj.
Dijetarët thonë se e drejta e përgjegjësisë, pra e drejta e drejtimit, këshillimit dhe mësimit i takon burrit, mirëpo, nga ana tjetër, assesi nuk është e drejtë e tij shtypja, robërimi, mundimi, tiranizimi dhe dëmtimi. Allahu ka thënë: “Burrat janë përgjegjës për gratë sepse Allahu i ka graduar disa mbi disa të tjerë …” (Nisa: 34)
Kur gruaja pohon se kjo e drejtë i takon burrit, pavarësisht se ajo mund të marrë pjesë në dhënien e mendimit në ato çështje për të cilat nuk ka ndalesë dhe vepron në përputhje me këtë pohim në çështjet e shtëpisë dhe gjithçka që burri planifikon, atëherë problemet shmangen dhe punët shkojnë mirë.
Mirëpo nëse gruaja ndërhyn në çdo çështje, të mëdha apo të vogla qofshin ato, të thjeshta apo të vështira, duke e konsideruar mendimin e saj më të mirë, madje si obligim për t’u zbatuar, aq sa përpiqet me çdo mjet për ta detyruar bashkëshortin të shkojë pas mendimit të saj qoftë edhe duke e zemëruar atë apo duke u zemëruar me të, duke ia çoroditur jetën, ajo ndoshta i shtyn edhe fëmijët e tij që të ndikojnë tek ai për ta shmangur nga mendimi i tij, me pretekstin se mendimi i saj është i drejtë.
Nëse ajo e hedh poshtë këtë të drejtë të tij duke përdorur lloj-lloj mënyrash, atëherë jeta do të çrregullohet dhe e para që do të ketë përfundim të keq është vetë ajo. Mosrespektimi i kësaj të drejte të bashkëshortit, prishja e bijve apo e bijave duke i ngritur kundër babait janë nga të këqijat më të mëdha, pasi si pasojë e tyre burri ndien se i është bërë padrejtësi, i është marrë e drejta që i takon dhe aq më tepër ndien se i janë dëmtuar edhe fëmijët.
Ai nuk merr asnjë gjykim apo vendim rreth një çështjeje të caktuar pasi është gruaja ajo që ndërhyn, dëmton e trazon çdo gjë. Madje ai mund të arrijë deri aty sa të fillojë të urrejë mënyrën e tij të të kuptuarit dhe të të vlerësuarit të gjërave, veçanërisht kur është i moshuar. Ai bëhet pesimist, i braktis çështjet për shkak të mendimit të gruas së tij dhe për shkak të të këqijave që i shkakton ajo (nëse nuk e pranon mendimin e saj).
Kur të drejtat e bashkëshortit respektohen, ato sjellin përmirësimin e gjendjes në familje; ndërsa kur këto të drejta humbasin, pasojat janë shkatërrimi dhe fatkeqësitë. E gjithë kjo ndodh kur gruaja mësohet dhe e bën zakon të ndërhyjë në çështjet e bashkëshortit të saj apo të luajë rolin e tij.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi qoftë mbi të) e ka sqaruar përfundimin e kësaj të keqeje në fjalën e tij: “Allahu i mallkon ato gra që imitojnë burrat.” (Fjala imitim ka të bëjë me cilësi, veprime, paraqitje, sjellje etj., që janë posaçërisht për burrat.)
Gruaja që ndërhyn në çështjet apo mendimet e bashkëshortit të saj s’bën gjë tjetër veçse kërkon t’i zërë atij vendin duke shfaqur kështu pakënaqësi ndaj të qenët nën drejtimin e tij. Një grua e tillë kërkon të jetë e barabartë me bashkëshortin e saj ose të shfaqet si më e ditur, më e logjikshme apo më me përvojë se ai, duke hedhur poshtë të drejtën e tij të përgjegjësisë.