Në Sahih-un e Muslimit përmendet që një burrë paditi te Pejgamberi (alejhi selam) dikë, se i pati vrarë vëllanë. I padituri e pranoi krimin dhe atëherë, Pejgamberi (alejhi selam) i tha paditësit: “Kape vrasësin e tët vëllai dhe merr hak!” Kur u largua, Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Nëse do ta vrasë, do të bëhet si puna e tij.”
Trashëgimtari i të ndjerit mësoi atë që kishte thënë Pejgamberi (alejhi selam). Ai u kthye bashkë me vrasësin dhe i tha të Dërguarit: “E kam kapur me urdhrin tënd, që ta ekzekutoj për hakmarrje.” I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i tha: “A nuk dëshiron vallë që ai të marrë mbi vete gjynahun tënd dhe gjynahun e vëllait tënd të vrarë?” [1] – “Posi jo?!”, – u përgjigj ai dhe e la të lirë vrasësin.
Për shpjegimin e fjalës së Pejgamberit (alejhi selam): “…do të bëhet si puna e tij”, janë dhënë dy mendime:
– Mendimi i parë: Nëse vrasësi do të vritet për hakmarrje, atëherë atij i shlyhet gjynahu i vrasjes dhe si rrjedhim, vrasësi barazohet me hakmarrësin, [2] ngaqë nuk u tha: “Do të bëhet si puna e tij para vrasjes”, por: “Nëse do ta vrasë, do të bëhet si puna e tij”. Kjo tregon se barazimi realizohet mbas vrasjes për hakmarrje. Kështu që nuk ka paradoks në kuptimin e hadithit, por ai, në mënyrë të tërthortë, përcjell mesazhin se trashëgimtarët e të vrarit duhet ta braktisin hakmarrjen dhe të falin gjakun.
– Mendimi i dytë: Nëse vrasësi s’ka pasur për qëllim të kryente vrasje, por gabimisht, me mjetin që e ka qëlluar, ai e ka vrarë, atëherë hakmarrësi bëhet po aq fajtor sa edhe vrasësi, pasi kundërvajtja e vrasësit është krimi, kurse shkelja e hakmarrësit është vrasja e dikujt që ka kryer vrasje pa dashje. Këtë interpretim e provon një hadith që e sjell Imam Ahmedi në Musned-in e tij, nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu): “Një herë, në kohën e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam), u vra një njeri. Çështja e tij u kallëzua tek i Dërguari i Allahut (alejhi selam). Ky ia dorëzoi vrasësin trashëgimtarit të të vrarit, me qëllim që ky të hakmerrej. Ndërkaq, vrasësi tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë nuk doja të vrisja atë…” Pejgamberi (alejhi selam) iu drejtua trashëgimtarit të të vrarit: “Nëse ai pohon të vërtetën dhe ti e vret, atëherë ti hyn në Zjarr.” [3] Atëherë, tjetri e la të lirë vrasësin. [4] Në librin e Ibn Hubejbit, ky hadith vjen me një shtojcë, sipas së cilës Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Vrasje e qëllimshme me dorë, por e paqëllimshme me zemër.”
[1] Sipas një shpjegimi të hadithit, d.m.th., të marrë gjynahun e të ndjerit, për shkak se e ka vrarë dhe gjynahun e trashëguesit të gjakut të të ndjerit, për shkak se e ka hidhëruar me humbjen e vëllait. Nëse kështu është kuptimi, atëherë kjo është diçka që i është shpallur Pejgamberit (alejhi selam) veçanërisht për atë burrë. Sipas një shpjegimi tjetër, kuptimi është: të jetë falja e gjakut shkak për fshirjen e gjynaheve të tij dhe gjynaheve të vëllait të tij të vrarë. Bëhet fjalë për gjynahet e tyre të kaluara, të cilat nuk kanë lidhje me këtë vrasës. [Sherh Sahihul Muslim]
[2] D.m.th., nuk ka epërsi asnjëri mbi tjetrin, ngaqë trashëguesi i të ndjerit e merr hakun e tij. Ndryshe do të ishte nëse do ta falte, se atëherë do të kishte epërsi mbi vrasësin, do të përmendej për mirë në dynja dhe do të merrte shpërblim të madh në Ahiret, për aktin e faljes.
[3] Nga kjo arrijmë në përfundimin se nëse evidentohet që vrasja është e qëllimtë, nuk dëgjohet fjala e vrasësit, por nëse ekziston mundësia që shfajësimi i tij të jetë i vërtetë, atëherë duhet që trashguesi i viktimës të mos hakmerret duke e vrarë. [Shih Aunul Mabud]
[4] Hadithin nuk e kemi gjetur te Musned-i i Ahmedit, por atë e shënon Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe. Hadithi është i vërtetë.