Populli Themud – i emërtuar ndryshe si Adi i mbramë – jetonte në Hixhër (vend në veri të Gadishullit Arabik) dhe në zonat përreth. Ata zotëronin bagëti të shumta dhe njiheshin për bujqësi. Mirësitë e Zotit u vinin pandërprerë. Luginat i shfrytëzonin për të ndërtuar kështjella të zbukuruara, ndërsa malet i gdhendnin me preçizitet dhe i kthenin në shtëpi banimi. Të gjitha këto mirësi ata i refuzuan dhe i mohuan (se ishin prej Allahut), adhuruan të tjerë në vend të Tij.
Për këtë arsye, Allahu dërgoi vëllain e tyre Salihun, i cili rridhte prej atij fisi dhe e njihnin shumë mirë prejardhjen dhe trungun e tij familjar. I dinin vlerat e tij, përsosmërinë e moralit, sinqeritetin dhe mbajtjen e amanetin. Salihu (alejhi selam) i ftoi për tek Allahu; i ftoi që adhurimin t’ia kushtonin vetëm Atij dhe të braktisnin idhujt që i adhuronin në vend të Allahut. Ai u kujtoi mirësitë e vazhdueshme dhe gjeneratat e popujve që kishin jetuar aty pranë, por shumë pak e ndoqën.
Në momentin kur i këshilloi, u dha fakte dhe prova që pohojnë obligueshmërinë e njësimit të Allahut (në adhurim), kjo i bëri të ndiheshin keq, madje u larguan edhe më shumë dhe treguan mendjemadhësi duke thënë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). (Hud: 62) D.m.th, ne prisnim se do të ishe më i miri në mesin tonë, për shkak se tek ti buronin moralet e plota dhe sjelljet më të mira.
Hafidh Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) në komentin e fjalës së Allahut që thotë: “Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale).” (Hud: 62) thotë: D.m.th: Ne shpresonim që logjika jote të ishte më e plotë para se të na i thoje këto fjalë, e që aludojnë në thirrjen që ti na bën në njësimin e adhurimit dhe braktisjen e idhujve që adhurojmë si dhe të largohemi nga feja e baballarëve dhe gjyshërve. Për më tepër thanë: “A mos vallë po na ndalon ta adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në mëdyshje për thirrjen tënde.” (Hud: 62) (El Bidaje uen Nihaje 1.133)
Ata i pohuan cilësitë e Salihut para se ai t’i ftonte, dhe nuk patën ndonjë arsye tjetër ta shihin me syrin e përçmimit veç faktit se ai i ftoi të adhuronin Krijuesin në vend të krijesave dhe të gëzonin lumturinë e amshueshme. “Faji” i tij ishte se kundërshtoi baballarët e tyre të humbur ndërkohë që pasardhësit ishin edhe më të humbur se ata!
Më pas ai u solli një provë madhështore, një argument mahnitës dhe një mirësi e cila do të vlente për të gjithë fisin Themud. Ai u tha: “Kjo është deveja e Allahut.”, e cila nuk ngjan me asnjë deve tjetër në qënien, vlerën dhe dobitë e saj. “Shenjë e qartë për ju.”, që pohon siqeritetin tim dhe mëshirën e gjerë të Zotit tuaj! “Prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut.” (Hud: 64) Allahut i përket furnizimi i kësaj deveje, ndërsa juve, përfitimi nga dobitë e saj.
Ajo pinte ujë në njërën ditë, ndërsa i gjithë fisi shkonte dhe përfitonte nga qumështi i saj, gjithsecili i mbushte enët me qumështin e saj. Ditën tjetër keni radhën ju të pini nga burimi dhe kështu ecën gjërat derisa deshi Zoti i Lartësuar. Në qytetin e tyre ishin nëntë vetë prej shejtanëve njerëz që refuzonin në mënyrë të prerë atë që solli Salihu dhe me këtë i pengonin njerëzit nga rruga e Allahut: “Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.” (Neml: 48)