– Kushti i parë: Pamundësia e përdorimit të ujit.
Rastet e pamundësisë së përdorimit të ujit:
- Mungesa e ujit.
- Nëse njeriu frikësohet se me përdorimin e ujit do të dëmtohet për arsye sëmundje, apo frikësohet se duke marrë abdes apo gusul mund t’i shtohet sëmundja, apo të vdesë.
- Nëse bën kohë e ftohtë dhe njeriu mendon se nga marrja abdes apo larja mund të sëmuret, apo vdesë.
- Nëse njeriu frikësohet se duke marrë abdes me ujin e pakët që i ka mbetur do t’i harxhohet dhe nuk do të ketë ujë për të pirë.
- Nëse frikësohet se nga kërkimi i ujit do të dëmtohet vetë personi, apo se do t’i humbasë pasuria që ka me vete. (Bëhet fjalë nëse ka bindje sipas rrethanave se mund t’i ndodhë kjo gjë, jo thjesht hamendësim i kotë.)
- Nëse nuk gjen ujë vetëm se me çmim shumë të lartë duke e dëmtuar nga ana financiare.
– Kushti i dytë: Koha.
Disa dijetarë janë të mendimit se kushtëzohet që tejemumi duhet marrë për çdo namaz në kohën e tij, kështu që nuk merret tejemumi për namazin farz para se të hyjë koha dhe as për namazin nafile në kohën e ndaluar kur nuk lejohet të falet. Ndërsa disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se tejemumi konsiderohet pastrues dhe heqës i papastërtisë duke u argumentuar me thënien e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk do t’ua vështirësojë gjërat, por do t’ju pastrojë…” (Maide: 6)
Ky mendim i dytë është dhe më i saktë, kështu që lejohet marrja e tejemumit ne kohën e ndaluar dhe para hyrjes së kohes së farzit. Me këtë pastrim mund të falë disa namaze farze e sunete sa dëshiron, si dhe pastërtia e tejemumit zhvlerësohet vetëm me gjetjen e ujit apo me një nga prishësit e abdesit.
Kushti i tretë: Nijeti (qëllimi).
Disa dijetarë janë të mendimit se nëse merr tejemum për një namaz sunnet nuk mund të falë me të një namaz farz. Por më e sakta është se nëse merr tejemum për faljen e namazit farz ose sunnet, atëherë mund të falë me këtë tejemum që ka marrë çfarëdo lloj namazi qoftë farz apo sunnet, sepse tejemumi konsiderohet heqës i papastërtisë ashtu sikurse edhe uji sipas mendimit më të saktë, që është dhe medhhebi i hanefive, dhe jo thjesht lejues për faljen e një namazi të caktuar.
Kushti i katërt: Dheu i pastër.
Ndërsa disa dijetarë janë të mendimit se tejemumi lejohet të merret me çfarë ndodhet në tokë, si: dheu, rëra, gurët e të ngjashme me to, duke u bazuar tek fjala e Profetit (alejhi selam): “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt para meje…” prej tyre ka permendur: “më është bërë mua toka vendfalje dhe e pastër” (Buhariu dhe Muslimi) Këtë e përforcon fakti se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) mori tejemum nga muri për të kthyer selamin (Buhariu).
Ky mendim është më afër të vërtetës. Kështu që lejohet marrja e tejemumit nga muri. Ndërsa tejemumi prej mureve të cilat janë me bojëra vaji nuk lejohet, po kështu nga shtresa, tapete, etj, sepse ato nuk janë mbi sipërfaqen e tokës. Por nëse në to ndodhet pluhur lejohet marrja e tejemumit prej tyre, sepse pluhuri është prej dheut. Ndërsa kushtëzimi që të jetë i pastër është tek të gjithë.
Shkëputur nga libri: “Shpjegimi i bazave të Fikhut”, Prof. Dr. Abdullah Xhibrin (me përshtatje), 1/144-148