“Prej gjërave që mendohen se janë në kundërshtim me analogjinë (kijasin) është tejemumi. E kanë thënë këtë për dy arsye sipas tyre:
- E para: Sepse dheu është i pisët, nuk i heq papastërtitë dhe nuk e pastron trupin sikurse nuk e pastron rrobën.
- E dyta: Sepse është ligjëruar në dy gjymtyrë të abdesit, jo në të gjitha.
Kjo është në kundërshtim me analogjinë (kijasin) e kotë. Tejemumi është në përputhje me analogjinë e saktë. Allahu bëri prej ujit çdo gjë të gjallë dhe na krijoi neve prej dheut. Ne kemi dy elementë përbërës: ujin dhe dheun. Prej tyre bëri fillimin tonë dhe ushqimet tona, me to pastrohemi dhe adhurojmë Allahun.
Dheu është origjina nga e cila u krijuan njerëzit, ndërsa uji jeta e çdo gjëje. Ato janë bazë në përbërjen e elementëve të kësaj bote. Baza e pastrimit të gjërave prej papastërtive në rastet e zakonshme është uji, nuk lejohet lënia e tij vetëm se kur nuk ka apo në rastin e sëmundjes e të ngjashme me të. Kalimi në këtë rast për te vëllai i tij që është dheu, është më parësor se ndonjë gjë tjetër, megjithëse ndot anën e dukshme ai forcon anën e brendshme.
Ndërsa fakti që veprohet në dy gjymtyrë tregon se është në përputhje të plotë me analogjinë dhe urtësinë. Kjo sepse vendosja e dheut në kokë është e papëlqyer në zakonet e njerëzve, madje e veprojnë në fatkeqësi, kurse këmbët në shumë raste janë në kontakt me dheun. Në fshirjen e fytyrës me dhè në tejemum ka dorëzim, madhërim, përulje për Allahun, që është nga adhurimet më të dashura për Të dhe më të dobishme për robin”.
(I’lamul muakk’in an Rabbil alemin, Ibn Kajjim)