Qëndrimi dhe kalimi në xhami për atë që është xhunub:
Qëndrimi në xhami në gjendjen e xhunubllëkut nuk lejohet pa abdes, por lejohet të kalojë në xhami në këtë gjendje. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos iu afroni namazit duke qenë të dehur derisa të dini se ç’thoni dhe as duke qenë xhunubë derisa të pastroheni, vetëm se duke qenë kalimtarë.” (En-Nisa’: 43)
Ndërsa nëse merr abdes në këtë gjendje i lejohet qëndrimi në xhami. Përcillet prej Ata ibn Jesar (radijAllahu anhu) se ka thënë: “Kam parë burra prej shokëve të të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) që uleshin në xhami kur ishin xhunubë nëse merrnin abdes si abdesin për namaz” (Hadith i saktë)
Leximi i Kur’anit për atë që është xhunub:
Ai që thjesht nuk ka abdes mund të lexojë Kur’an. Ndërsa për atë që është xhunub shumica e dijetarëve janë të mendimit se atij nuk i lejohet të lexojë Kur’an derisa të lahet. Jane argumentuar me disa hadithe që i atribuohen të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) për këtë, por të cilat janë të dobta. Nga këto hadithe është fjala e Aliut (radijAllahu anhu): “I Dërguari i Allahut (alejhi selam) kur dilte nga banjoja, lexonte Kur’an, hante me ne mish dhe nuk e ndalonte asgjë prej leximit të Kur’anit vetëm se xhunubllëku”.
Disa dijetarë e vlerësojne këtë hadith si të saktë apo të mirë, ndërsa të tjerë e cilësojnë si hadith të dobët. Disa dijetarë kanë thënë sipas vlerësimit të tyre se meqënëse nuk ka argumente të pranueshme që e ndalojnë atë që është xhunub prej leximit të Kur’anit, atëherë kjo gjë i lejohet, megjithëse është e papëlqyeshme. Po kështu prej argumenteve të shumicës është se ndalimi në këtë gjendje prej leximit të Kur’anit ka ardhur nga disa sahabë.