“Dije – Allahu më dhëntë sukses mua dhe ty! – se feja jonë është e plotë dhe e përkryer, nuk ka lënë gjë që i nevojitet njerëzve për fenë dhe dynjanë vetëm se e ka sqaruar. E tillë është dhe kryerja e nevojave personale, në mënyrë që njeriu të cilin Allahu e ka nderuar të dallohet nga kafsha. Feja jonë është fe e pastërtisë dhe e dlirësisë, ndaj ekzistojnë disa rregulla fetare që praktikohen gjatë hyrjes në banjë dhe kryerjes së nevojave personale.” (Përmbledhja e fikhut, shejkh Feuzan, 1/24)
- Muslimani gjatë kryerjes së nevojave personale e ruan veten nga shikimet e njerëzve, ashtu sikurse e ruan nga shikimet e xhinëve me thënien “Bismilah” para se të hyjë në tualet. I Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Pengesa midis syve të xhinëve dhe vendeve intime të njerëzve, nëse dikush prej jush hyn në banjë, është të thotë: Bismilah.” (Saktësoi Albani)
- Nëse personi shkon në tualet është e pëlqyer të thotë:
.بسم الله, اللهم إني أعوذ بك من الخبث والخبائث
“Bismilah, Allahume inni eudhu bike minel khubthi uel khabaith”
(Me emrin e Allahut! O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga xhinët meshkuj dhe femra dhe nga çdo vepër e ndytë). Kjo ka ardhur në hadithe të sakta. Këtë dhikër e thotë qoftë në vend të hapur apo para se të hyjë në tualet.
- Dhe kur del thotë: غفرانك “Gufranek” (Kërkoj faljen Tënde o Zot!) duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijAllahu anha) se Profeti (alejhi selam) kur dilte nga banjoja thoshte: “Gufránek” (Hadith i saktë.)
Dijetarët kanë dhënë disa shpjegime të arsyes së kërkimit të faljes në këtë rast:
- bëhet për shkak të lënies së përmendjes së Allahut kur kryen nevojën.
- për shkak të neglizhencës së falënderimit të Allahut për ngrënien e ushqimit, tretjes dhe daljes së tij.
- meqënëse Allahu e begatoi duke e shpëtuar prej asaj që i dëmton trupin, i kërkon Allahut ta shpëtojë prej asaj që i dëmton zemrën, pra prej gjunaheve.
- Kur hyn në tualet është e pëlqyeshme të hyjë me këmbën e majtë, sepse e majta është për papastërtitë, dhe kur del nga tualeti është e pëlqyeshme dalja me këmbën e djathtë, duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijAllahu anha) se ka thënë: “Profetit (alejhi selam) i pëlqente të fillonte me të djathtën në veshjen e këpucëve, krehjen e flokëve, pastrimin (abdesin), dhe në të gjitha çështjet.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ekziston konsensus mes dijetarëve se me të majtën fillohet në punët e papreferuara, siç është hyrja në tualet, dhe se me të djathtën fillohet në punët e mira, siç është dalja nga tualeti.
- Nëse dikush i kryen nevojat personale në një vend të hapur, pra jo në tualet, është e pëlqyeshme të largohet nga shikimet e njerëzve duke u fshehur pas një peme, muri a diç tjetër. Kjo përsa i përket largimit dhe mbulimit të gjithë trupit, ndërsa mbulimi i auretit, nga gjunjët te kërthiza për burrat, është detyrë.
- Nuk duhet ta ketë kiblen para ose pas, por duhet të mënjanohet nga kjo gjë, sepse Profeti (alejhi selam) ka ndaluar që kiblen ta ketë para apo mbrapa gjatë kryerjes së nevojave personale (në hadithin e transmetuar prej Buhariut dhe Muslimit). Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ky ndalim është enkas për vendet e hapura dhe nuk përfshin tualetet në ndërtesa.
- Duke qenë në vend të hapur zgjedh vend të përshtatshëm, të butë dhe ruhet nga spërkatja e urinës në trup apo rroba.
- Prej këtyre rregullave dhe moraleve është: se nuk i kryen nevojat personale ne rrugë, apo në ato vende ku i sjell dëm njerëzve. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Kini kujdes prej dy gjërave që sjellin mallkimin e njerëzve!” Thanë: “Cilat janë ato?” Tha: “Ai që kryen nevojat personale në rrugën e njerëzve dhe në hijen ku grumbullohen.” (Muslimi)
- Nuk e prek organin gjenital me dorën e djathtë, po kështu nuk pastrohet me të djathtën. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Kur dikush urinon mos ta prekë organin me të djathtën dhe mos të pastrohet me të djathtën.” (Buhariu e Muslimi)
- Është e pëlqyeshme të qëndrojë pak pas urinimit përpara se të pastrohet.
- Nuk qëndron në tualet më tepër se ç’e ka të nevojshme, sepse zbulimi i auretit pa patur nevojë nuk lejohet. Po kështu është e dëmshme për shëndetin.
- Nuk futet në tualet me diçka në të cilën përmendet Emri i Allahut. Nëse nuk ka rrugë tjetër apo harron, e mbulon ose e fut në xhep.
- Është e ndaluar të futet me Kur’an në tualet, vetëm në rast kur nuk ka kush t’ia ruajë dhe ka frikë se i humbet.
- Pasi kryen nevojat personale pastrohet me ujë, ose me sende që e heqin masën e papastërtisë, si: letra, letra higjenike, copa, gura, etj. Nëse bashkon mes këtyre dy mënyrave kjo është forma më e mirë. Nëse mjaftohet vetëm me njërën prej tyre lejohet, por pastrimi me ujë është më mirë.
- Nëse pastrohet me mjete të tjera duke mos përdorur ujë, duhet ta heqë masën e papastërtisë, qoftë nevojë e vogël a e madhe, derisa të mbetet diçka qe s’mund ta heqë vetëm se uji. Më e pakta është pastrimi tre herë, por mund të shtojë derisa të zhduket papastërtia. Ndërsa në pastrimin me ujë nuk kushtëzohet numër i caktuar, por pastrohet derisa të mendojë se është pastruar.
- Lejohet pastrimi me çdo gjë të pastër, përveç bajgave të të gjitha kafshëve dhe kockave. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Mos u pastroni me to – bajgat dhe kockat -, sepse ato janë ushqim i vëllezërve tuaj – xhinëve musliman –” (Muslimi)
- Po kështu nuk pastrohet me çdo gjë që duhet respektuar, si: ushqimi, etj.