Ndërsa ti, o armik i hapur (i drejtohet Allahu shejtanit), nuk do të kesh mundësi gjithmonë t’i devijosh ata. I keqi, ka për ta shfaqur të keqen e tij dhe do të njihet. Ndërsa Allahu nuk ka për ta përfillur e as që ka për t’u marrë me të. Ndërsa njerëzit e zgjedhur si: profetët dhe pasuesit e tyre; të sinqertët, të drejtët dhe të dalluarit, njerëzit e dashur (evlijatë) tek Zoti dhe besimtarët: Këtyre, Allahu nuk lejon që t’i mposht Iblisi.
Përkundrazi, atyre u ngriti një fortifikatë të papërshkueshme, e ajo është mbrojtja dhe ndihma e Tij. Ai i furnzoi me armë, të cilave nuk mund t’u bëjë ballë armiku, e këto armë janë: besimi i plotë në Allahun dhe fuqia e mbështetjes tek Ai. “Sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.” (Nahl: 99)
Për më tepër, Ai i ndihmoi (besimtarët) që t’i bëjnë ballë këtij armiku nëpërmjet disa mënyrave:
– Solli tek ata librat e Tij, që përmbajnë njohuri të dobishme dhe këshilla ndikuese, të cilat nxisin për vepra të mira dhe qortojnë e ndalojnë nga veprat e këqija.
– Dërgoi në mesin e tyre pejgamberë, për t’i përgëzuar me shpërblime të menjëhershme ata që besojnë dhe i binden Allahut, si dhe për të qenë qortues ndaj mohuesve, përgënjështruesve dhe atyre që u kthejnë kurrizin (argumenteve) të Allahut, për dënimet e ndryshme dhe të lloj-llojshme që i presin.
Atyre që ndjekin udhëzimin e Tij, përmes librave që solli dhe pejgamberëve që dërgoi, u siguroi se, nuk kanë për të qenë prej të humburve në këtë botë dhe nuk kanë pse të shqetësohen e të merakosen për fatin e tyre në botën tjetër. Të tillët nuk do të kenë frikë dhe as që do të pikëllohen.
– Nëpërmjet librave që shpalli dhe nëpërmjet fjalëve të pejgamberëve, Allahu i udhëzoi drejt gjërave, të cilat mund t’i mbrojnë nga ky armik i përbetuar. Ai (Allahu) ua sqaroi se për çfarë fton ky djall dhe çfarë mënyrash dhe formash përdor për
t’i peshkuar dhe gjuajtur njerëzit.
– Jo vetëm që ua sqaroi, por u tregoi edhe rrugën me të cilën shpëtojnë nga e keqja dhe sprovat e tij. Allahu i ndihmoi në bazë të një paracaktimi të tij, i cili tejkaloi dhe sfidoi çdo mundësi të tyre. Në momentin kur u përpoqën dhe dhanë kontributin e tyre dhe më pas kërkuan ndihmën e të Adhuruarit (Allahut), Ai ua lehtësoi të gjitha rrugët që shpien drejt qëllimit të synuar.
Allahu i Lartësuar e plotësoi edhe më tej mirësinë ndaj Ademit, duke krijuar enkas për të bashkëshorten e tij, Havanë, që do të ishte prej llojit të tij dhe në formën e tij. E gjithë kjo, që të gjente prehje (tek ajo), të plotësoheshin qëllimet e ndryshme të martesës dhe intimitetit, prej të cilave do të mundësohej ardhja e pasardhësve të tyre.
Ai (Allahu) i tha Ademit dhe bashkëshortes së tij: Vërtet shejtani është armiku juaj, prandaj kini shumë kujdes prej tij, që të mos u nxjerrë nga Xhenneti ku u vendosi Allahu (të qëndroni). Ai u lejoi që të ushqeheni me frutat e Xhennetit dhe të shijoni të gjitha kënaqësitë e ofruara, me përjashtim të nje peme të caktuar, që gjendet në Xhennet, të cilën ua ndaloi duke u thënë: “Mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës (të padrejtë)!” (A’raf: 19)