Disa dijetarë kanë përcjellë ixhmain se gjaku i rrjedhshëm është i pisët. Argument për këtë është Fjala e Allahut: “Thuaj: Nuk gjej në atë që më është shpallur ushqim të ndaluar, përveç se nëse është cofëtinë, gjak i derdhur dhe mish derri..) (El-En’am: 145) Përgjithësimi i këtij ajeti tregon për papastërtinë e të gjitha llojeve të gjakut të shumtë. Por diçka e pakët nga ky gjak i pisët falet dhe nuk përbën problem.
Sikurse shumë dijetarë kanë përjashtuar gjakun i cili vazhdon të dalë nga trupi, si në rastin e plagëve të rrjedhshme; si në historinë e sahabit që u gjuajt me shigjetë, ndërkohë që falej, dhe nuk e prishi namazin (në zinxhirin e këtij hadithi ka dobësi). Hasen el-Basri ka thënë: Muslimanët vazhdojnë të falen me plagët e tyre. (Buhariu)
Në Fetvanë (11/266) e Shejkh Uthejminit thuhet:
“Ajo që duket nga tekstet prej pastërtisë dhe papastërtisë së gjakut është si vijon:
- Gjaku që rrjedh nga ajo kafshë ngordhësira e të cilës është e pisët. Ai është i pisët sikurse dëshmon për këtë ajeti fisnik.
- Gjaku i hajdit është i pisët sikursë dëshmon për këtë hadithi i Aishes dhe Esmasë (radijAllahu anhuma).
- Gjaku që rrjedh prej njeriut. Ajo që duket nga tekstet është obligueshmëria e pastrimit të tij, përveç atij që e ka vështirë të ruhet prej kësaj, si gjaku i plagës së vazhdueshme.
- Gjaku i peshkut është i pastër, sepse nëse peshku i ngordhur është i pastër kjo gjë është argument për pastërtinë e gjakut të tij, sepse ndalimi i ngrënies së ngordhësirës është për shkak të gjakut të mbetur në të.
- Gjaku i mizës, mushkonjës e të ngjashme, sepse e ngordhura prej tyre është e pastër sikurse dëshmon për këtë hadithi i Ebu Hurejrës për zhytjen e saj nëse bie në pije dhe ka pije që është e nxehtë dhe ngordh në të. Kjo tregon për pastërtinë e gjakut të saj sikurse parapriu arsyeja e ndalimit të ngrënies së ngordhësirës.
- Gjaku i mbetur pas daljes së shpirtit nga kafsha e therur, sepse ai është si të gjitha pjesët e kafshës. Pjesët e saj janë hallall të pastra me therjen fetare e po kështu gjaku i mbetur”.