Dita e Ashurasë, apo siç njihet e Ashures, është dita e dhjetë e muajit Muharrem. Ky emërtim vjen nga fjala arabe (ashera) që do të thotë: dhjetë. Agjërimi i kësaj dite është shumë i pëlqyeshëm. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Shpresoj që me agjërimin e ditës së Ashurasë Allahu të shlyejë gjunahet e vitit të kaluar.” (Muslimi) Dijetarët kanë sqaruar se ky agjërim fshin gjunahet e vogla, sepse gjunahet e mëdha kanë nevojë për pendim.
– Si bëhet ky agjërim?
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) kur emigroi në Medine pa që jehudët e agjëronin këtë ditë dhe pyeti: “Çfarë është kjo?” I thanë: “Kjo është ditë e mirë. Është dita në të cilën Allahu i shpëtoi benu israilët prej armikut të tyre, ndaj e agjëroi Musai”. Tha: “Unë jam më parësor se ju që të gëzoj për Musain.” (Buhariu) Po kështu ka thënë: “Vitin tjetër – inshaAllah – do ta agjërojmë dhe ditën e nëntë.” (Muslimi)
– Për këtë arsye është e pëlqyer që të agjërohet dita e nëntë dhe e dhjetë, si kundërshtim i traditës së jehudëve. Dhe kjo është më e mira.
– Nëse nuk e agjëron ditën e nëntë, mund të agjërojë ditën e njëmbëdhjetë bashkë me të dhjetën e në këtë mënyrë arrihet qëllimi i larpërmendur.
– Lejohet agjërimi vetëm i ditës së dhjetë që është dita e Ashurasë, sepse Profeti (alejhi selam) e ka agjëruar këtë ditë të vetme.
Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ndërsa kthimi i kësaj dite në ditë zie, sikurse veprojnë rafidat (shi’at), për shkak të vrasjes së Husejnit djalit të Aliut (radijAllahu anhum) është vepër e atyre që përpjekjet i kanë humbur në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendojnë se veprojnë mirë. As Allahu dhe as i Dërguari i Tij nuk kanë urdhëruar që ditët e fatkeqësive apo të vdekjes së Profetëve t’i kthejnë në ditë zie, e aq më tepër për ata që janë më poshtë se ta në gradë.” (Letaif el mearif, fq. 54)