Kjo çështje ka të bëjë me ata persona të cilët nuk kanë agjëruar disa ditë nga Ramazani për arsye të ndryshme, si: udhëtim, sëmundje, gratë gjatë ciklit mujor, etj. Këta njerëz që kanë për të agjëruar disa ditë farz (të detyruara) si kaza (plotësim), a mund të agjërojnë në fillim pas Ramazanit gjashtë ditët e Sheualit i cili është agjërim i pëlqyeshëm, apo duhet të agjërojnë agjërimin kaza që është farz e pastaj gjashtë ditët e Sheualit, në mënyrë që të arrijnë shpërblimin e ardhur në hadithin tek Sahihu i Muslimit: “Kush agjëron Ramazanin, pastaj e pason me gjashtë ditë të Sheualit, është si të agjërojë gjithë vitin?”
Dijetarët kanë dhënë dy mendime:
I pari: Se kjo mirësi arrihet edhe nëse agjërohen gjashtë ditë të Sheualit para kazasë:
- sepse Allahu i Lartësuar thotë: “E kush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim, atëherë le të agjërojë ditë të tjera…” dhe kjo është e pakufizuar.
- fjala e Aishes (radijAllahu anha): “Më mbeteshin ditë nga Ramazani për t’i agjëruar dhe nuk mund t’i agjëroja vetëm se në muajin Sha’ban, për shkak të preokupimit për të Dërguarin (alejhi selam)”. (Buhariu dhe Muslimi). Pra meqënëse Aishja e vononte agjërimin kaza deri në muajin Sha’ban, ndërkohë që pas tij vjen muaji Ramazan, a mund të mendohet se ajo nuk agjëronte asnjë agjërim nafile para ditëve kaza, si gjashtë ditët e Sheualit, ditën e Arafatit, ditën e Ashuras, të hënën dhe të enjten, tre ditë nga muaji, etj?!
- sepse ai që e ka prishur agjërimin gjatë Ramazanit me arsye quhet që e ka agjëruar Ramazanin dhe nëse agjëron gjashtë ditët e Sheualit para agjërimit kaza e arrin në këtë mënyrë shpërblimin e ardhur në hadith.
I dyti: Se ky shpërblim arrihet vetëm nëse agjëron në fillim ditët kaza:
- sepse i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin, pastaj e pason me gjashtë ditë të Sheualit, është si të agjërojë gjithë vitin.” dhe agjërimi i Ramazanit realizohet me plotësimin e të gjitha ditëve të tij.
Gjithsesi më e mira është që muslimani a muslimania të fillojnë me agjërimin kaza e më pas me ditët e Sheualit. Allahu e di më së miri.