Aishja (radijAllahu anha), thotë: “I Dërguari (alejhi selam) puthte dhe përqafonte gruan, kur ishte me agjërim, por ai ishte më i afti nga të gjithë për të frenuar epshin”. Sipas një varianti tjetër, Aishja (radijAllahu anha) thotë: “I Dërguari (alejhi selam) e puthte gruan në Ramazan, ndërkohë që ishte me agjërim”.
Në një version tjetër po tek Muslimi, Aishja (radijAllahu anha) thotë: “Kush nga ju mund të frenojë epshin e vet siç e frenonte i Dërguari (alejhi selam)?”.
Në versionin e Ebu Daudit, Aishja (radijAllahu anha) thotë: ” I Dërguari (alejhi selam) më puthte, ndërkohë që ai dhe unë ishim agjërues”.
Ibn Hibani sjell një version nga Ebu Selme Ibn Abdurahmani, se Aishja (radijAllahu anha) ka thënë: “I Dërguari (alejhi selam) puthte disa nga gratë e tij, ndërkohë që ishte me agjërim. E pyetën: “Gjatë agjërimit farz dhe vullnetar?” Ajo tha: “Në të dyja llojet, farz dhe vullnetar”. [1]
Hafsa (radijallahu anha) tregon se: “I Dërguari (alejhi selam) i puthte gratë ndërkohë që ishte me agjërim. [2]
Umer Ibn Ebu Seleme (radijAllahu anhu) tregon se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (alejhi selam): “A e puth gruan agjëruesi?” I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i tha: “Pyete këtë” për Ummu Selemen. Ajo i rrëfeu se i Dërguari i Allahut e vepronte një gjë të tillë. Atëherë, ai tha: “O i Dërguari i Allahut, ty t’i ka falur Allahu gjynahet që ke bërë dhe ato që do të bësh…” I Dërguari (alejhi selam) i tha: “Për Allah, unë jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe jam ai që e kam më shumë frikë Atë”. [3]
Omeri (radijAllahu anhu) rrëfen: “Njëherë, duke shikuar gruan, m’u ngacmuan ndjenjat dhe e putha, ndërkohë që isha me agjërim. Më pas, shkova te Pejgamberi (alejhi selam) dhe i thashë: “O i Dërguari Allahut, sot kam bërë një gjë të rëndë: kam puthur gruan, ndërkohë që po agjëroja…” Ai më tha: “Po sikur të kishe shpërlarë gojën me ujë ndërkohë që po agjëroje?” – “Kjo s’ka gjë” – i thashë. – “Epo, atëherë, përse bëhesh merak?!” – ma ktheu ai.” [4]
Dobi dhe rregulla:
E para: Agjëruesit i lejohet ta puthë dhe përqafojë gruan, si gjatë agjërimit farz, po ashtu edhe vullnetar, në Ramazan dhe në muajt e tjerë, si për të riun edhe për të moshuarin, kur ka siguri se nuk e humb kontrollin e epshit të tij e të bjerë në haram, si për shembull në marrëdhënie intime apo ejakulim.
E dyta: Me fjalën ‘përkëdhelje apo përqafim të gruas’ hadithi ka për qëllim përqafimin e gruas prej burrit të saj, puthitjen e trupit të burrit me të gruas, prekjen e lëkurës, shtrëngimin apo afrimin e saj, dhe jo marrëdhënien seksuale, sepse kjo e fundit e prish agjërimin. [5]
E treta: Agjëruesi duhet të ketë parasysh se agjërimi prishet kur ejakulon për shkak të puthjes, puthitjes së trupit me trupin e gruas, përkëdheljes, prekjes apo shtrëngimit të saj, por ai duhet të vazhdojë agjërimin dhe ta kompesoj atë ditë pas Ramazanit, të pendohet tek Allahut dhe t’i kërkojë falje Atij.
Për këtë Allahu i Lartësuar thotë në hadith kudsij: “Për hirin Tim, agjëruesi ka lënë epshin, ngrënien, e pirjen”. [6] Në një version tjetër: “Ai, për hirin Tim, ka lënë ëndjen dhe gruan e tij”. [7]
Ndërsa dalja e sekrecioneve (medhi) nuk e prish agjërimin, bazuar në mendimin më të saktë të dijetarëve, [8] por agjëruesi duhet t’u largohet gjërave epshndjellëse, të cilat të çojnë në haram.
E katërta: Hadithet që përmendëm dëshmojnë se puthja e gruas nga ana e agjëruesit nuk është e lejuar vetëm për Profetin (alejhi selam), por ajo është e lejuar edhe për umetin në përgjithësi, me kusht që mos të çojë në haram, si ejakulim apo marrëdhënie intime. [9]
E pesta: Profeti (alejhi selam) ishte njeriu që kishte më shumë drojë Allahun, sepse ai e njihte më mirë madhërinë e Tij. [10]
E gjashta: Nga hadithet përfitojmë se e kemi detyrë që ta lëmë thellimin dhe teprimin në çështjet e fesë, ose të menduarit se vetëm Profetit i lejohej të puthte bashkëshortet e tij gjatë agjërimit, por jo umetit të tij. Prandaj kur u diskutua kjo gjë, Profeti (alejhi selam) u nevrikos dhe tha: “Ndërsa unë, pasha Allahun, jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe e kam më shumë frikë Atë”. [11] Ndërsa në hadith tjetër thotë: “Unë i njoh më mirë se ju kufijtë e Allahut.”
E shtata: Interesimi i shokëve të Profetit për të njohur gjërat e lejuara dhe të ndaluara, devotshmëria që kishin ndaj Allahut të Lartësuar dhe frika prej gjërave që cenojnë ibadetin apo e prishin atë.
E teta: Në këto hadithe ka kundërpërgjigje ndaj sufive ekstremistë, të cilët ia kanë hequr vetvetes ose liderëve të tyre detyrimet fetare, me preteksin se gjoja kanë arritur gradë të lartë në besim e në sjellje. Ndërsa Profeti (alejhi selam), i cili ishte njeriu me besimin më të plotë dhe që i përmbahej më shumë Sheriatit, e korrigjoi gabimin e atyre që menduan se, përderisa Profetit i janë falur mëkatet, atëherë i lejohet të bëjë disa gjëra të ndaluara. [12]
E nënta: Hadithi i Umer Ibn Hatabit (radijAllahu anhu) mbështet metodën e analogjisë në gjykimin fetar, kur kemi të bëjmë me çështje të ngjashme. Kësisoj, me shpërlarjen e gojës, uji mund të kalojë në gurmaz, duke prishur agjërimin. E tillë është edhe puthja, e cila mund të çojë në kryerjen e marrëdhënieve intime, që prishin agjërimin. Përderisa njëri veprim nuk e prish agjërimin, po ashtu edhe tjetri, i ngjashëm me të, nuk e prish agjërimin. [13]
[1] Buhariu (1826), Muslimi (1106), Ebu Daudi (2384), Ahmedi (6/44).
[2] Muslimi (1107), Ibn Maxhe (1685) dhe Ahmedi (6/286).
[3] Muslimi (1108) dhe Maliku (1/291).
[4] Ebu Daudi (2385), Daremiu (1724), Abd ibn Humejd (21). Ibn Hibani e vlerëson të saktë (3544). Po ashtu dhe Hakimi Dhehebiu pajtohet me qëndrimin e tyre (1/596 ). Albani e shënon në Sahih Ebi Daud.
[5] Taberiu në Tefsirin e tij thotë: Fjala “mubasheretu” do të thotë: ‘kontakti i lëkurës me lëkurën’ (2/168). Shih: ‘Fet’hu Elbari’ (4/149).
[6] Shënojnë, nga Ebu Hurejra, Buhariu ( 7054) dhe Muslimi (1151).
[7] Ky është versioi i Ibni Huzejmes në Sahihun e tij (1897). Shih ‘Fetava Ibni Baz’, kapitullin e daves (2/164) dhe Mexhmuu fetava veresail (15/315).
[8] Shih Fetavat e Ibni Bazit, kapitullin e daves (2/164), dhe Mexhmuu Fetava ve Resail (15/268-315) dhe Fetava Sijam Ibn Xhibrin (54).
[9] Shih: Sherh Ibn Betal (4/56), Munhatu Elbari (4/364) dhe Tuhfetu Elahfedhi (3/350).
[10] El Mufhim (3/165).
[11] Sherh Nevevij ala Muslim (7/219).
[12] E tillë është dhe ajo që ju shkon nëpërmend disave në lidhje me hadithin që flet për atë që bën teube pas gjynahut të tretë, dhe thënin e Allahut për të: “Puno ç’të duash, se të kam falur!”. Kurtubiu thotë se ky mendim është i pavlefshëm, bazuar në thënien e Pejgamberit: “Ndërsa unë, pasha Allahun, jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe e kam më shumë frikë Atë sesa ju”. Një argument tjetër që hedh poshtë këtë përfytyrim të pavlefshëm është dhe ixhmai i padiskutueshëm i ymetit që njeriu nuk lirohet nga përgjegjësia fetare përderisa plotëson kushtet e saj.
[13] Mealim sunen hamish Ebi Daud (2/780).