Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Abdullah Ibn Umeri (radijAllahu anhu) se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Bilali e thërret ezanin natën, prandaj hani dhe pini derisa të thirret ezani tjetër nga Ibn Ummi Mektumi.” Ibn Ummi Mektumi, ngaqë ishte i verbër, nuk e thërriste ezanin derisa t’i thoshin njerëzit: “U gdhi, u gdhi”.
Sipas një varianti tjetër që gjendet tek Muslimi, shënohet: “I Dërguari (alejhi selam) kishte dy muezinë, Bilalin dhe Ibn Ummi Mektumin, i cili ishte i verbër. Prandaj i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Bilali e thërret ezanin natë, prandaj hani e pini derisa ezani të thirret nga Ibn Ummi Mektumi.” Diferenca ndërmjet dy ezaneve ishte vetëm aq sa zbriste njëri (nga muri) dhe ngjitej tjetri lart”. [1]
Semurah Ibn Xhundubi (radijAllahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Mos e ndërprisni syfyrin prej ezanit të Bilalit, as prej dritës së bardhë që shfaqet vertikalisht, por prisni derisa të përhapet drita fort kështu”. Hamadi (një transmetues i hadithit) e tregoi me duar përhapjen e dritës së agimit të vërtetë, duke bërë të ditur se drita përhapet horizontalisht. (Muslimi)
Nesaiu shënon një variant tjetër kështu: “Mos u mashtroni me ezanin e Bilalit, e as me këtë dritën e bardhë (e ka fjalën për dritën e parë, që është drita e agimit të rremë dhe që shfaqet vertikalisht e ngritur lart në qiell), por prisni derisa drita të përhapet fort (në vijën horizontale) kështu e kështu”. Ebu Daud Et-Tajalisi tregon: “Ai shtriu duart, duke i hapur majtas dhe djathtas. [2]
Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush dëgjon ezanin dhe ka enën e ushqimit në dorë, të mos e lejë enën, por le të vazhdojë derisa ta mbarojë.” Kështu e shënon Ebu Daudi, ndërsa Hakimi e vlerëson të saktë. [3]
Në variantin e Ahmedit është edhe kjo shtesë: “Muezini e thërriste ezanin kur fillonte të shfaqej agimi”. [4]
Dobi dhe rregulla:
– E para: Lejohet ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime dhe gjithçka që çel agjërimin, deri në shfaqjen e agimit. [5]
– E dyta: Të verbërit i lejohet të thërrasi ezanin nëse ai vetë përcakton kohën, ose e informon dikush tjetër që e njeh atë.
– E treta: Në namazin e agimit është e ligjshme thirrja e dy ezaneve, njëri para agimit, ndërsa tjetri në të hyrë të tij. [6]
– E katërta: Lejohet ngrënia mbasi të kesh bërë nijetin, sepse Profeti (alejhi selam), e ka lejuar ngrënien deri në agim. Nëse bën nijetin në darkë për të agjëruar ditën e nesërme, pastaj para agimit ha ushqim, në këtë rast nijeti nuk është prishur.
– E pesta: Kur dyshon se ka hyrë koha e agimit apo jo, lejohet të hash, pasi në origjinë është ende natë, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “..dhe hani e pini derisa të dalloni qartë perin e bardhë (agimin) nga peri i zi (errësira e natës)”. Përderisa hyrja e agimit është e dyshimtë, parimisht quhet se ka akoma natë, derisa të bëhet e sigurtë hyrja e agimit. Te Bejhakiu, në një transmetim të saktë nga Ibn Abassi përcillet se ka thënë: “Kur dyshon, ha derisa ta dallosh agimin qartë”. [7] Kjo ka të bëjë me rastin kur njeriu është duke vrojtuar hyrjen e agimit dhe dyshon nëse ka hyrë apo jo, ndërsa kur bazohet në ezan e në orë, këtu nuk ka vend për të dyshuar, sepse ai mund të sigurohet duke pyetur dhe duke parë kohën.
– E gjashta: Është e pëlqyeshme ngrënia e syfyrit dhe vonimi i tij.
– E shtata: Neveviu – (Allahu e mëshiroftë!) – ka thënë në lidhje me fjalën e transmetuesit: “koha mes njërit ezan dhe tjetrit ishte aq sa zbriste njëri muezin dhe ngjitej tjetri”, se: Bilali e thërriste ezanin para agimit dhe qëndronte në pritje duke bërë lutje etj., dhe më pas vrojtonte agimin. Kur afrohej koha e shfaqes së tij, zbriste dhe lajmëronte Ibn Ummi Mektumin, i cili bëhej gati duke u pastruar etj., pastaj ngjitej dhe thërriste ezanin në fillim të hyrjes së agimit. [8]
– E teta: Për kohën mbas agimit nuk thuhet se është natë, por quhet ditë. [9]
– E nënta: Lejohet që burri t’i atribuohet nënës së tij (biri i filanes), nëse është e nevojshme dhe nëse shquhet me atë llagap. [10]
– E dhjeta: Agimi i parë nga i dyti dallon me tri karakteristika:
- Agimi i dytë është zbardhja që shfaqet në vijën horizontale, në vendin ku lind dielli, nga jugu në veri dhe ka një përhapje të gjerë, të fortë e të qartë në vijën horizontale, ndërsa agimi i parë është një shkëlqim drite me rreze që shfaqet e ngjitet vertikalisht në qiell, nga lindja në perëndim.
- Nuk ka errësirë mbas agimit të dytë, sepse përhapja e dritës vazhdon deri në lindjen e diellit, ndërsa agimin e parë e pason errësira. [11]
- Agimi i dytë e ka të ngjitur bardhësinë e tij me vijën horizontale, ndërsa tek agimi i parë ka errësirë ndërmjet tij dhe horizontit. [12]
– E njëmbëdhjeta: Nëse thirret ezani i agimit ndërkohë ai që dëshiron të agjërojë ka enën në dorë, i lejohet që ta plotësojë ngrënien dhe pirjen, e të mos e lërë atë, sipas kuptimit të drejtpërdrejtë të hadithit. Ky është lehtësim që na e ka bërë Allahu, të Cilit i takon lavdërimi dhe falënderimi. [13]
[1] Shënon Buhariu (592) dhe Muslimi (1092).
[2] Shënon Muslimi. (1094), Ebu Daudi (2346), Tirmidhiu (706) dhe Nesaiu (4/148).
[3] Shënon Ebu Daudi (2350), Amedi (2/510), Darelkutni (2/165), Bejhakiu (4/218). Hakimi e vlerëson të saktë dhe thotë: Hadithi është sipas kushteve të Muslimit. Pajtohet me të në këtë edhe Dhehebiu (1/588).
[4] Musned Ahmed (2/510)’. E shënon Taberi në Tefsirin e tij (2/175) dhe Bejhakiu (4/218).
[5] Mufhim (3/150), Sherhu Nevevij (7/204), Fet’hu El Bari (2/99-100), Dijbaxh (3/194).
[6] [Sipas disa dijetarëve diferenca kohore ndërmjet dy ezaneve të sabahut ka qenë aq sa koha e ngrënies së syfyrit. Shejh Albani ka thënë në ‘tamamul mineh’ se kjo kohë është, përafërsisht, një çerek ore. Suneti është që për sabahun të ketë dy muezina: njëri për ezanin e parë dhe tjetri për të dytin, sikurse ishte Bilali dhe Abdullah Ibn Ummi Mektumi në kohën e Pejgamberit. Shprehja ‘esalatu hajrun minen neumi’ duhet të thuhet vetëm në ezanin e parë të sabahut dhe jo në të dytin, sepse kështu tregojnë hadithet që flasin për këtë çëshjte.]
[7] Neveviu thotë: Nëse dyshon në hyrjen e sabahut, lejohet të hajë, të pijë dhe të kryejë marrëdhënie intime etj., deri në agim. Në këtë çështje nuk ka kundërshti mes dijetarëve. Mexhmu(6/313). Shih: ‘Dhehiretu elukba’ (20/355).
[8] El Mufhim (3/151). Shih: Sherh El Nevevij (7/204) dhe Ed Dibaxh (3/194).
[9] El Mufhim (3/151). Kështu përmendet nga ai dhe në Dijbaxh (3/194). Shih në ‘Fet’h’ (2/101).
[10] El Fet’h (2/101).
[11] [Në varësi të kushteve dhe kthjelltësisë të motit, ndonjëherë ka errësirë poshtë agimit të rremë dhe ngjitur me vijën horizontale (Meshruu dirasetish shafak). Madje agimi rremë shfaqet në lartësinë qiellore i rrethuar nga errësira e natës lart dhe poshtë, djathtas dhe majtas. Ndonjëherë agimi i rremë zhduket plotësisht dhe pasohet me errësirë, e pas këtij errësimi fillon shfaqja e agimit të vërtetë, por jo gjithmonë ndodh kjo gjë, pasi ndodh që të fillojë shfaqja e agimit të vërtetë nën agimin e rremë pa u errësuar ky i fundit.]
[12] Fikhu El Ibadat, shejh Ibn Uthejmin (172-173).
[13] Shih: ‘Hashijetu Ahmed Shakir ala el Muhtesar ElMundhirij bi send Ebi Daud’ (3/233), dhe Temamul Mine të Albanit (417-418).