Prej Abdullah Ibn Unejs El Xhuhenij përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “M’u tregua nata e Kadrit, pastaj e harrova atë. Gjithashtu, pashë se në agimin e saj bëja sexhde në ujë e në baltë. Gjithashtu, përcillet se ka thënë: “Natën e 23 ra shi. I Dërguari i Allahut e fali namazin dhe, kur po largohej, pamë gjurmët e ujit e të baltës në ballin dhe në hundën e tij. Abdullah Ibn Unejsi ka thënë: “Ajo ka qenë nata e 23.” [1]
Në një transmetim të Imam Malikut përcillet se Abdullah Ibn Unejsi i ka thënë të Dërguarit të Allahut: “O i Dërguar i Allahut, unë e kam shtëpinë larg. Më thuaj një natë që të vij për të!” I Dërguari i Allahut i tha: “Eja natën e 23 të ramazanit.” [2]
Prej Ibn Abassit transmetohet se ka thënë: “Dikush më erdhi në gjumë në një prej netëve të Ramazanit e më tha: ‘Sonte është nata e Kadrit.’ Unë u ngrita si nëpër gjumë dhe u kapa tek mbajtёset e shtratit të Dërguarit të Allahut. Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut, të cilin e gjeta duke u falur. Mësova se ishte nata e 23.” [3]
Prej Ebu Hudhejfes, ky prej një prej shokëve të Muhamedit (alejhi selam), transmetohet se ka thënë: “Pashë se hëna në agimin e natës së Kadrit ishte si një gjysëm tave dheu.” Ebu Is’hak Es Sebi`ij ka thënë se hëna merr formë të tillë në agimin e natës së 23. [4]
Prej Ebu Hurejres transmetohet se ka thënë: “Ne përkujtuam natën e Kadrit në prani të Profetit (alejhi selam), që na tha: “Cili prej jush e kujton kur hëna doli dhe qe sa një gjysmё tave dheu?” [5]
Dobitë dhe dispozitat
E para: Të Dërguarit të Allahut iu harrua nata e Kadrit dhe kjo ka urtësi. Ajo nuk u tregua që njerëzit të mos neglizhonin e të mos i kaplonte përtacia në adhurim gjatë netëve të tjera veç saj.
E dyta: Kujdesi i madh i sahabeve në gjetjen e netëve me vlerë dhe pyetja për to me qëllim që t’i gjallëronin me adhurim e të përpiqeshin për të përfituar prej vlerave të tyre.
E treta: Vlera e natës së 23. Ajo mund të jetë edhe nata e Kadrit kështu që muslimani duhet ta kalojë zgjuar me ibadet e të përpiqet të kryejë sa më shumë adhurim në të.
E katërta: Hëna në natën e 23 është sa gjysma e një tasi të madh ose sa gjysma e një tave dheu, dhe nata e Kadrit atë vit për të cilin flasin këto hadithe ka qenë pikërisht atë natë.
[1] Muslim 1168.
[2] Muwata Malik 1/320.
[3] Ahmed 1/255, Hejthemi në Mexhmau zeuaid 3/76 ka thënë se transmetuesit në zinxhirin e Ahmedit janë transmetues të Sahihut.
[4] Ahmed 5/369, e ka konsideruar hadith hasen Ahmed Shakir 793.
[5] Muslim 1170.