Ebu Umame Elbahilij (radijAllahu anhu) tregon se ka dëgjuar të Dërguarin (alejhi selam) duke thënë: “Kur isha duke fjetur, erdhën dy burra më morën për krahu dhe më dërguan në një mal të thyer e më thanë: “Ngjitu!” – “Nuk mundem” – thashë unë. Ata më thanë: “Ne do të ta lehtësojmë.” Atëherë, unë u ngjita. Ndërkohë që isha në rrafshinën e malit, dëgjova zëra të fortë. Atëherë thashë: “Ç’janë këta zëra?” – “Këto janë klithmat e banorëve të Zjarrit”, – më thanë ata. Më pas, më morën. Papritmas, pashë disa njerëz të varur për leqet e këmbëve: anën e gojës e kishin të çarë, ndërsa nofulla u rridhte gjak…” Më pas, Profeti (alejhi selam) tregon: “U thashë atyre: “Kush janë këta?” – Janë ata që çelin agjërimin para se të vijë koha e çeljes” – u përgjigjën ata.” [1]
Dobi dhe rregulla
E para: Në hadith pohohet dënimi i varrit, që pohohet gjithashtu edhe në Kur’an, Sunnet dhe ixhmain e umetit, derisa imam Ahmedi ka thënë: “Këtë nuk e mohon kush, por veç ai që është i humbur dhe humb edhe të tjerët.” [2]
E dyta: Dënimi i varrit do ta vuaj shpirti dhe trupi, në një mënyrë që vetëm Allahu i Lartësuar e di. Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Besimi e të parëve të këtij umeti dhe imamëve të tij është se i vdekuri ose do të jetë në begati, ose në dënim. Kjo gjë i ndodh shpirtit dhe trupit. Ne besojmë se shpirti, pas ndarjes prej trupit, përjeton mirësi ose dënohet. Gjithashtu, besojmë se shpirti ndonjëherë ka kontakt me trupin. Ai përjeton mirësi ose dënohet me të. Ndërsa kur të vijë Dita e madhe e Ringjalljes, shpirtrat do të kthehen në trupat e tyre e do të dalin prej varreve për të shkuar më pas para Zotit të botëve.”
E treta: Pejgamberi (alejhi selam) pa në ëndërr disa forma të dënimit të varrit. Ëndrrat e pejgamberëve janë të vërteta. Ato janë një pjesë e Shpalljes prej Zotit.
E katërta: Hadithi sqaron se sa i rëndë është dënimi i varrit. Besimtari duhet ta ketë frikë, t’u largohet faktorëve që të çojnë në të dhe të bëjë çdo gjë të mundshme që të shpëtojnë prej tij.
E pesta: Në hadith ka kërcënim të fortë për ata që çelin para kohës së iftarit duke qenë të vetëdijshëm, me dashje dhe pa arsye. Një veprim i tillë është gjynah i rëndë, andaj është dhe shkak për dënim të ashpër.
E gjashta: Përderisa ky është dënimi i atij që çel para iftarit, atëherë në mënyrë më parësore e meriton dënimin ai që nuk agjëron fare muajin e Ramazanit ose një pjesë të tij pa arsye të konsiderueshme. Ai duhet të shpejtojë në pendim të sinqertë, në mënyrë që të mos e kapë dënimi i ashpër në varr.
[1] Shënon Nesai në Sunen Kubra (3286), Tabarani në El Kebir (8/7667) dhe në Musned Eshamijin (577); Bejhakiu (4/216). Ibn Huzejme (1986) dhe Ibn Hibani (7491) e vlerësojnë të saktë. Hakimi thotë se hadithi përmbush kushtin e Muslimit. Hadithi është sjellë sipas tekstit të tij. Me këtë qëndrim pajtohet edhe Dhehebiu (1/595).
[2] ‘Ruh’ Ibn Kajim (57). Shih Sunen Lalekai (6/1127) dhe Ithbat adhabul kabri të Bejhakiut (1/110).