Allahu i Lartësuar ka thënë: “…Plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje.” (El-Bekare : 187)
Sehl Ibn Sa’di (radijAllahu anhu) përcjell se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në mirësi, përderisa shpejtojnë iftarin.” [1]
Në variantin që sjell Ibn Maxhe, i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë, përderisa të shpejtojnë iftarin. Shpejtojeni iftarin, se judejtë e vonojnë atë.” [2]
Kurse tek Ibn Huzejmeh dhe Ibn Hibani: “Kjo fe do të vazhdojë të ngadhënjejë, të jetë e lartë dhe të jetë e dukshme, për sa kohë që njerëzit do të shpejtojnë iftarin, ndryshe nga judejtë dhe të krishterët, të cilët e vonojnë atë.” [3]
Në variantin tjetër: “Umeti im do të vazhdojë të jetë në udhën time, për sa kohë nuk presin shfaqjen e yjeve për të çelur iftar.” [4]
Ebu Atije el Hamedani (Allahu e mëshiroftë!) rrëfen: “Unë me Mesrukun shkuam tek Aishja (radijAllahu anha) dhe i thamë: “O Nëna e Besimtarëve, njëri nga shokët e Muhamedit (alejhi selam) e shpejton iftarin dhe namazin, kurse tjetri e vonon iftarin dhe namazin. Ajo tha: “Kush është ai që e shpejton iftarin e namazin?” – “Abdullah Ibn Mesudi” – i thamë ne. Atëherë, ajo tha: “Kështu vepronte i Dërguari i Allahut (alejhi selam)”. Ebu Kurejbi shton se “…tjetri ishte Ebu Musa”. [5]
Enesi (radijAllahu anhu) thotë: “Profeti (alejhi selam) nuk e falte namazin e akshamit pa çelur iftarin, qoftë edhe me një gllënjkë ujë.” [6]
Umer Ibn Mejmun Eudij thotë: “Shokët e Muhamedit (alejhi selam) ishin njerëzit që shpejtonin më së shumti iftarin dhe vononin më së shumti syfyrin”. [7]
Dobi dhe rregulla:
E para: Pëlqehet që të shpejtohet iftari kur vërtetohet perëndimi i dielli me anë të shikimit ose kur të lajmëron ndonjë njeri i besueshëm, ose mendon vetë se mundësia më e madhe është se dielli ka perënduar. [8] Këtë e dëshmon tradita profetike dhe ajo e sahabëve (radijAllahu anhum).
Hafidh Ibn AbdulBerri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijetarët janë në ixhma se, po hyri koha e faljes së akshamit, ka hyrë koha e iftarit, qoftë ky agjërim farz apo vullnetar. Gjithashtu, ata janë në ixhma (një mendje) se namazi i akshamit i përket natës. Allahu i Lartësuar thotë: “Plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje.” (El-Bekare : 187) [9]
E dyta: Mirësia gjendet tek ata njerëz që e shpejtojnë iftarin dhe largohet nga ata që e vonojnë atë. [10]
E treta: Shpejtimi i iftarit është prej mirësisë së këtij umeti, një praktikë kjo që na dallon nga judejtë dhe të krishterët, të cilët e vonojnë iftarin. [11] Dallimi nga ithtarët e Librit dhe kundërshtimi i tyre është një parim në fenë tonë i cili qëndron në shumë norma ligjore. Ky është një fakt që tregon se ky umet është më i dalluari dhe i mirë nga mbarë njerëzimi, prandaj është i ndaluar imitimi i jomuslimanëve.
E katërta: Vonimi i iftarit përtej perëndimit të diellit tregon shmangie nga tradita e Pejgamberit (alejhi selam) dhe risi në fenë e Allahut të Madhërishëm.
E pesta: Në këto hadithe ka kundërpërgjigje ndaj rafidive (sekt shi’it) dhe atyre që pajtohen me ta, të cilët e shtyjnë çeljen e iftarit përtej perëndimit të diellit deri në shfaqjen e yjeve. [12]
E gjashta: T’i përmbahesh kohës së caktuar të adhurimit, pa shtuar e pakësuar, të mbron nga ekstremizmi në çështjet e fesë, braktisja e rregullave të fesë dhe largon vesveset e Shejtanit. Shpejtimi në çeljen e iftarit, kur vërtetohet perëndimi i diellit, të mbron nga gjëra të tilla. [13]
E shtata: Nga hadithet përfitojmë se njeriu, me shpejtimin e iftarit, shfaq paaftësi dhe nënshtrim dhe robëri përpara Allahut të Lartësuar, si dhe nxitim për të pranuar lehtësimin nga Ai. [14]
E teta: Nga hadithet përfitojmë se vazhdimësia e agjërimit pas perëndimit të diellit, natën, është i papëlqyeshëm, prandaj është sunnet që më parë të çelësh iftar, pastaj të falësh akshamin, sepse kështu arrin ta shpejtosh më shumë iftarin. [15]
E nënta: Hadithet nxisin për pasim të Sunnetit dhe moskundërshtim të tij, pasi me lënien e Sunnetit punët shkojnë keq. Sahabët, kur pësonin ndonjë disfatë, kontrollonin çfarë tradite profetike kishin lënë. Kur e gjenin, e mësonin që shkaku i dështimit ishte pikërisht braktisja e asaj tradite. [16]
E dhjeta: Hadithi flet dhe për vlerën e këtij umeti, meqë është udhëzuar për pasimin e Sunetit. Pasimi i Sunetit sjell dashurinë e Allahut të Lartësuar, bazuar në fjalën e Tij: “Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është falës i Madh dhe Mëshirëbërës”. (Ali Imran : 31) [17]
[1] Shënon Buhariu (1856) dhe Muslimi (3503).
[2] Sunen Ibn Maxhe (1698).
[3] Sahih Ibn Huzejmetu (2060) dhe në Sahih Ibn Hiban (3503).
[4] Ky është varianti i Ibni Huzejmes (2061). Atë e ka vlerësuar të saktë Ibni Hibani (3520) dhe Hakimi, i cili thotë se hadithi është sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit. Me këtë qëndrim është pajtuar edhe Dhehebiu (1/599).
[5] Shënon Muslimi (1099), Ebu Daudi (2354), Tirmidhiu (702), Nesai (4/144) Amedi (6/48).
[6] Shënon Ebi Jaëla (3792), Bezari ( 984), Bejhaki (4/239). Ibn Huzejme e vlerëson të saktë (2063), por dhe Ibn Hiban (3504-3505). Hejthemi në Mexhma Zeuaid (3/155) thotë se transmetusit e Ebi Jaëlasë janë të dy librave të saktë.
[7] Shënon Abdurrezaku (7591) dhe Bejhakiu(4/238). Hafidh në Feth e vlerson të saktë (4/199).
[8] Teudih el ahkam min Bulug elmeram (3/153).
[Nëse muezini e vonon ezanin, agjëruesi nuk ka pse të presë, por sipas sunetit çel me të perënduar dielli. Madje edhe nëse muezini e thërret ezanin me të perënduar dielli, agjuruesi çel që në fillimin e ezanit pa pritur përfundimin e tij. Agjëruesi çel kur bindet për perëndimin e diellit. Por lejohet të çelë edhe kur mendon se mundësia më e madhë është që të ketë perënduar dielli. Si argument për rastin e fundit kemi hadithin e Esmasë e cila tregon: “Në kohën e Pejgamberit (alejhi selam) në një ditë me re ne çelëm dhe pastaj u hapën retë dhe u shfaq dielli. Dikush pyeti Hishamin (një transmetues të hadithit që është dhe nipi i Esmasë): A u urdhëruan njerëzit për zëvendësimin e asaj dite? Hishami tha: “Patjetër duhet të zëvendësohet”. Muameri ka thënë: “Kam dëgjuar Hishamin të thotë se nuk e di nëse e zëvendësuan atë ditë apo jo”.
Ibn Tejmije thotë: “Ky hadith tregon për dy gjëra, njëra prej të cilave se nuk është e pëlqyeshme në kohë me re që të vonohet çelja e agjërimit derisa të krijohet bindje e plotë për perëndimin e diellit, pasi sahabët nuk e bënë diçka të tillë dhe as Pejgamberi (alejhi selam) nuk i urdhëroi për të. Sahabët që shoqëruan Pejgamberin kanë qenë më të ditur dhe më të dëgjueshëm ndaj Allahut dhe Pejgamberit të tij sesa ata që erdhën më pas. E dyta, se nuk është detyrë zëvendësimi i ditës së agjërimit në një rast të tillë, sepse nëse Pejgamberi do t’i kishte urdhëruar për zëvendësimin e kësaj dite, ky lajm do të ishte përhapur ashtu sikurse u transmetua lajmi i çeljes së tyre. Përderisa nuk është transmetuar diçka e tillë, kjo tregon se Pejgamberi nuk i ka urdhëruar për të.
Për faktin se, kur dikush pyeti Hishamin nëse sahabët ishin urdhëruar për zëvendësimin e asaj dite apo jo, ai tha: “Patjetër duhet të zëvendësohet”, themi se Hishami shprehu mendimin e vet; ai nuk e ka transmetuar këtë gjë në hadithë. Për faktin se ai nuk ka pas dijeni për këtë gjë tregon dhe dëshmia që sjell Muameri i cili thotë: “Kam dëgjuar Hishamin duke thënë: “Nuk e di nëse e zëvendësuan atë ditë apo? Të dyja këto transmetime i sjell prej tij Buhariu. Këtë hadith Hishami e transmeton nga e ëma, Fatime Binti Mundhir, e kjo nga Esmaja. Hishami vetë ka transmetuar se babai i tij, Urve, ka thënë që ata nuk u urdhëruan për ta bërë kaza atë ditë. Urve është më i ditur sesa i i biri.” (Mexhmuul fetava v.25).
Kështu, nëse agjërues çel duke menduar se mundësia më e madhe është që të ketë perënduar dielli, e pastaj bëhet e qartë se nuk ka pas perënduar, ai nuk e zëvendëson këtë ditë. Ndërsa nëse njeriu dyshon në perëndimin e diellit, atij nuk i lejohet të çelë derisa të bindet për perëndimin e tij ose të krijojë mendimin se mundësia më madhe është që dielli ka perënduar. Nëse çel me dyshim në perëndimin e diellit, quhet gjynahqarë. Kjo ditë agjërimi nuk i quhet përveç nëse bëhet e qartë se çelja është bërë pas perëndimit të diellit. (el Muhala dhe el Mugni).]
[9] El Istidhkarë (3/288).
[10] Referimi i mëparshëm.
[11] Fethu Elbari (4/199).
[12] Referimi i mëparshëm.
[13] Shih Mufhim (3/157) dhe Tuhfetu Ahfedhi (3314).
[14] Referimi i mëparshëm. (3/315).
[15] Sherh Ibn Mulekin ala elumdetu (5/311).
[16] Referimi i mëparshëm (5/310-311).
[17] Tuhfetu Ahfedhi( 3/316).