Prej Safije bintu Hujej transmetohet se ka rrëfyer: “I Dёrguari i Allahut ishte nё itikaf. Unё shkova e vizitova nё mbrёmje, bisedova me tё, pastaj u ngrita pёr t’u kthyer nё shtёpi. Ai u ngrit dhe erdhi tё mё shoqёronte. Banesa ishte pranё shtёpisё sё Usame Ibn Zejdit. Pranё nesh kaluan dy burra prej ensarёve, të cilët, kur panё tё Dёrguarin e Allahut, nxituan. I Dёrguari i Allahut i tha: “Prisni, kjo ёshtё Safije Bintu Hujej.” Ata thanё: “I Lartёsuar ёshtё Allahu, o i Dёrguar i Allahut!” Ai tha: “Me tё vёrtetё, shejtani lёviz pёrbrenda njeriut ashtu sikurse lёviz gjaku, dhe unё pata frikё se mos gjuan nё zemrat tuaja ndonjё tё keqe.” Ose tha: “diçka”. Nё njё transmetim tjetёr thuhet:“Shejtani arrin tek njeriu atje ku arrin dhe gjaku.” [1]
Prej Ali Ibn Husejn transmetohet se i Dёrguari i Allahut ka thёnё: “I Dёrguari i Allahut po qёndronte nё xhami. Me tё ishin edhe gratё e tij, qё mё pas u larguan. Kur po largoheshin, ai i tha Safije bintu Hujej: ‘Prit, mos u ngut, se po vij me ty!” Banesa e saj ishte pranё shtёpisё sё Usames. I Dёrguari i Allahut doli me tё. Rrugёs u takuan me dy burra prej ensarёve, të cilët, kur panё tё Dёrguarin e Allahut, nxituan tё largoheshin. I Dёrguari i Allahut u tha: “Ejani kёtu! Kjo ёshtё Safije bintu Hujej.” Ata thanё: “I Lartёsuar ёshtё Allahu, o i Dёrguar i Allahut!” Ai tha: “Me tё vёrtetё, shejtani lёviz pёrbrenda njeriut ashtu sikurse lёviz gjaku, dhe unё pata frikё se mos gjuan nё vetet tuaja ndonjё tё keqe.” [2]
Dobitё dhe dispozitat
E para: Mёshira e Profetit ndaj popullit tё tij ishte mjaft e madhe. Ai ishte i kujdesshёm ndaj nevojave tё tyre. I drejtonte njerёzit nё mёnyrё qё tё ruanin zemrat dhe gjymtyrёt e tyre. Kёtё tregon edhe ky hadith, kur i Dёrguari i Allahut u kujdes ndaj dy personava qё kaluan pranё tij. Ai pati merak se mos shejtani u hidhte dyshime nё zemёr. Mendimi i keq ndaj një profeti ёshtё mohim ose kufër. [3]
Imam Shafiu, – Allahun e mёshiroftё! – ka thёnё: “I Dёrguari i Allahut veproi kёshtu me ata dy njerёz nga frika se mos binin nё mohim, po tё mendonin keq mbi tё Dёrguarin e Allahut. Ai nxitoi t’i përshkruante realitetin. Ai e bёri këtë pёrpara se shejtani t’u hidhte nё zemёr diçka tё keqe, e kështu tё shkatёrroheshin mё pas”. [4]
E dyta: Vizita e personit qё ka hyrё nё itikaf ёshtё e lejueshme. Gruas i lejohet tё vizitojё burrin e saj nё xhami e tё bisedojё me tё qoftё ditёn apo natёn. Kjo nuk e cënon itikafin, por shpeshtimi i kёtyre vizitave bёhet pengesё pёr adhurimin. Ndoshta mund tё shkaktojё edhe prishjen e itikafit, nёse burri kontakton me gruan e vet.
E treta: Muslimani duhet t’u ruhet pozitave akuzuese dhe vendeve qё vënё nё dyshim personalitetin e tij. Kur ndjen se mund tё hamendёsohet diçka e keqe rreth tij, atёherё duhet ta largojё atё duke sqaruar njerёzit, sidomos nёse ёshtё prej njerёzve tё rёndёsishёm, tё cilёt merren pёr shembull, si dijetarёt dhe të devotshmit.
Njerёzve tё tillё nuk u lejohet tё bёjnё veprime tё cilat hedhin dyshime mbi personalitetin e tyre, edhe nёse kanё arsye, sepse kjo pengon pёrfitimin prej diturisё dhe mirёsisё sё tyre. Si shembull pёr kёtё po marrim rastin e gjykatёsit. Kur ai jep ndonjё vendim, duhet t’i shpjegojë tё ndёrshkuarit edhe arsyet e vendimit, nё rast se vendimi duket disi i paqartё, me qёllim qё tё largojё hamendёsitё për veprime të padrejta.
E katërta: Besimtari duhet tё jetё nё gadishmёri ndaj shejtanit dhe kurtheve tё tij, sepse ai lёviz tek njeriu sikurse lёviz gjaku.
E pesta: Lejimi i thёnies ‘Subhanallah’ (I Pastёr e I Lartё ёshtё Allahu) pёr tё treguar habi ndaj diçkaje ose pёr tё treguar se ёshtё diçka e madhe. Kjo tregohet edhe nё Librin e Allahut, mbi ngjarjen e shpifjes ndaj Aishes: “I Pastёr e I Lartё Je Ti, o Allah, kjo ёshtё shpifje e madhe!” [5]
E gjashta: Personi nё itikaf e ka tё lejuar tё angazhohet me vepra tё lejuara fetarisht, si përcjellja e vizitorit tё tij, qёndrimi dhe biseda me tё, por pa e tepruar.
E shtata: Personit qё ka hyrё nё itikaf i lejohet mёsimdhёnia ose pjesёmarrja nё mёsime fetare, tё shkruajё çёshtje fetare, por gjithmonё duke mos e tepruar nё kёto gjёra, sepse qёllimi i hyrjes nё itikaf ёshtё pёrkushtimi maksimal nё adhurim.
E teta: Personit qё ka hyrё nё itikaf i lejohet tё blejё gjёrat e nevojshme, si ushqim apo diçka tjetёr.
E nёnta: Personit qё ka hyrё nё itikaf i lejohet veçimi me gruan e tij, por duhet tё bёjё kujdes tё mos kontaktojё me tё.
E dhjeta: Gruas i lejohet tё dalё natёn, nёse ёshtё e garantuar siguria e saj personale.
E njёmbёdhjeta: Lejohet dhёnia e selamit njё burri qё ёshtё nё shoqёrinё e gruas sё tij. Nё njё tjetёr trasmetim tё hadithit tё mёsipёrm [6] pёrmendet se dy personat, kur kaluan pranё Profetit, e pёrshёndetёn me selam, dhe ai nuk e ndaloi njё vepёr tё tillё.
E dymbёdhjeta: Lejohet bashkёbisedimi me njerёz tё tjerё, edhe nёse personi ёshtё nё shoqёrinё e gruas sё tij apo nё shoqёrinё e ndonjё gruaje tjetёr prej tё afёrmve tё tij, sidomos kur ёshtё nevoja tё sqarohet ndonjё gjykim apo tё pengohet ndonjё e keqe. Njё vepёr e tillё nuk pёrbёn sjellje tё pahijshme e nuk e ul personalitetin e muslimanit.
E trembёdhjeta: Personit qё ёshtё nё itikaf i lejohet tё pengojё hamendёsimin e gabuar ndaj tij duke e sqaruar diçka tё tillё me fjalё, sikurse veproi i Dёrguari i Allahut. Gjithashtu, i lejohet tё pengojё diçka tё dёmshme ndaj tij edhe me veprime ndaj atij qё e cënon.
Personi nё itikaf nuk ёshtё nё njё pozitё mё tё rёndёsishme sesa personi qё fal namaz. Njeriut qё ёshtё duke u falur i lejohet tё pengojё dikё qё i kalon pёrpara vetes, po kёshtu i lejohet personit qё ёshtё nё itikaf tё mbrohet ndaj dikujt qё tenton ta qёllojё me duar dhe, me kёtё, itikafi i tij nuk prishet.
E katёrmbёdhjeta: Muslimani duhet të tregohet i qetë e të mos nxitohet përveç rasteve të domosdoshme. Prandaj i Dërguari i Allahut i tha dy ensarëve; ‘prisni’.
E pesëmbëdhjeta: Drejtёsia e Profetit ndaj grave tё tij. Gratё e vizituan Profetin nё itikafin e tij. Kur deshёn tё largoheshin, i Dёrguari i Allahut, i tha Safijes: ‘Mos u nxito!”.
Veçimi i Safijes pёr tё qёndruar pak mё shumё ndodhi pёr shkak se ajo u vonua në ardhje disi mё shumё sesa gratё e tjera. Kёshtu, i Dёrguari i Allahut i tha tё qёndronte pak, në mënyrë që tё barazohej kohёqёndrimi i saj me atё tё grave tё tjera. Ndoshta, shkak ka qenë edhe fakti se shtёpia e saj nuk ishte afёr, prandaj i Dёrguari i Allahut e shoqёroi vetё. I tillё duhet tё jetё muslimani: i drejtё me gratё e tij dhe i kujdesshёm ndaj tyre.
[1] Buhariu 3107, Muslimi 2175.
[2] Buhariu 2038, Muslimi 2175.
[3] Sherh en-Nevevij ala muslim 14/56.
[4] Fet’hul Bari 4/280.
[5] Sure en-Nur: 16.
[6] Buhariu 1930. Ibn Maxheh 1779.